“Burreli” dhe “Vora” do të përballen të shtunën në stadiumin “Liri Ballabani” për llogari të javës së dhjetë të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Matjanët vijnë pas një ndeshjeje të fituar në transfertë ndaj Veleçikut të Koplikut me rezultat të thellë. Por për trajnerin Samuel Nikaj, ndeshja e radhës është vlerësuar maksimalisht pasi nuk ka vend jo vetëm për eufori por as për nënvlerësim të kundërshtarit. Sipas Nikajt Vora është një skuadër e krijuar nga akademitë e Tiranës dhe me trajner profesionist, ndaj dhe nuk ka vend për ta parë atë si një ekip të dobët pavarësisht pozicionit në të cilin ndodhet në tabelën e klasifikimit.
“Jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. E vlerësojmë si ndeshje vendimtare për ecurinë e mëtejshme të skuadrës. Përderisa pretendimet i kemi madhore, nuk na lejohen hapa fals. Kështu që ne do të bëjmë maksimumin që të dalim me tri pikë nga kjo ndeshje dhe të jemi brenda atyre objektivave që i kemi vënë vetes. Vora ndoshta në letër nuk është aq e fortë sa mendohet, por ne e kemi vlerësuar maksimalisht pasi diferencat janë të vogëla. Motivimi e dëshira që ka ekipi e bën diferencën. Vora është në Tiranë dhe akademitë atje punojnë shumë e kanë kualitete duke krijuar ekipe të mira. Nuk e nënvlerësojmë Vorën por e shohim si një ndeshje finale të radhës. Do të marrim maksimumin sepse i kemi të gjitha mundësitë” – tha Nikaj.
Ndeshjet e tjera të grupit A në kategorinë e parë që do të luhen nesër janë, Vllaznia – Partizani B, Erzeni – Oriku dhe Korabi – Veleçiku.