Megjithë acarin e p-aralajmëruar nga autoritetet, nuk do të ketë shtyerje të fillimit të fazës së dytë kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Ekipet e kësaj kategorie do të zbresin të shtunën në fushë për të zhvilluar përballjet e para për jesën e mbetur të kampionatit. Matjanët do të presin në shtëpi ekipin e Tërbunit të Pukës, ndeshje e cila do të vërë përballë trajnerin aktual të Tërbunit dhe ish zv e tij trajnerin aktual të Burrelit, Alert Alcani. Megjithatë, matjanët do të kërkojnë tri pikët në këtë garë si një test edhe për merkaton e dimrit, ku në disa reparte pati edhe ndryshime.  

Drejtues të stafit Teknik u shprehën se gjendja e skuadrës është mjaft e mirë dhe premtuese për ta nisur me fitore fazën e dytë të këtij kampionati. Kujtojmë se ndeshje e zhvilluar në fazën e parë të këtij sezoni në Pukë mes Tërbunit dhe Burrelit ka përfunduar në barazim.

“Jemi përgatitur maksimalisht për këtë përballje. Do ta nisim fazën e dytë ashtu siç nisa edhe ndeshjet nën drejtimin tim tek Burreli. Djemtë janë në formë të shkëlqyer dhe jam i bindur që do të bëjnë maksimumin në këtë përballje. Sigurisht që është një ndeshje e vlerësuar në maksimum, pasi çdo skuadër në kategorinë tonë meriton vlerësim maksimal, por ne do të vijojmë drejt objektivit dhe ai arrihet vetëm me fitore. Jam i bindur që edhe me elementët e afruar në merkaton e dimrit, do të jemi një ekip shumë garues dhe shumë rezistent ndaj çdo kundërshtari. Fakti që përballja e fazës së dytë konsiston me ekipin pjesë e të cilit isha deri pak kohë më parë, nuk do të ketë asnjë ndikim dhe se synimi mbetet fitorja. Ne do të bëjmë më të mirën në fushën e gjelbërt dhe jam i bindur që do të arrijmë rezultatin maksimal të pritshëm në këtë ndeshje” – tha Alcani.

Gjithsesi fituesi i kësaj ndeshjeje pritet për tu parë vetëm pas përfundimit të 90-të minutave të lojës së rregullt.

Formacioni i mundshëm!

Koca, Dedgjonaj, Dibra, Hasa, Alcani, Stafa, Trokthi, Stana, Farruku, Çema, Daija. Tr.A.Alcani