Ekipi i futbollit Burreli do të luajë të shtunën ndeshjen e fundit të këtij kampionati dhe përballë do të ketë Dinamon që tashmë ka siguruar kalimin direkt në superligë. Megjithatë matjanët nuk kanë hequr dorë nga objektivi i kategorisë superiore, për të cilin do të duhet të luftojnë edhe në takimin e nesërm e më pas të përballne me ekipin e vendit të dytë të zonës play-off në grupin B. Por që të shkojnë deri aty, matjanët duhet ta fitojnë patjetër ndeshjen me Dinamon pasi nëse fiton Korabi ndaj Vorës, atëherë do të jenë dibranët që do të përballen me ekipin e grupit tjetër. Zëvendëstrajneri i Burrelit, Renato Hoti thotë se djemtë janë me moral të lartë dhe se do të marrin patjetër tri pikë në këtë ndeshje. Tashmë ka mbetur një rrugë e shkurtër e Burrelit për të parë nëse do të jetë vitin e ardhshëm pjesë e superligës. Për të ndodhur kjo, do të duhet të fitojë ndaj Dinamos, ndeshjen me ekipin e dytë të grupit B dhe më pas me ekipin e vendit të 8 të superligës