Burreli pret në “Liri Ballabani” Lushnjën
Të shtunën e 25 prillit ekipi ynë i futbollit Burreli do të zhvillojë ndeshjen e parafundit në shtëpi për këtë sezon futbollistik. Matjanët do të presin në stadiumin “Liri Ballabani” ekipin e Lushnjës, që aktualisht mban vendin e fundit në katgorinë e parë me vetëm 26 pikë të grumbulluara në 31 ndeshje të luajtura deri tani. Skuadra e drejtuar nga tekniku Samuel Nikaj vjen në këtë përballje e pozicionuar në vendin e 8 me 33 pikë në total dhe tenton të futet brenda gjashtë ekipeve të parë në dy javët e fundit të mbetura të këtij kampionati. Teksa gara po shkon drejt mbylljes, rivaliteti mes skuadrave që duan të qëndrojnë në zonën play off dhe atyre që duan të largohen nga zona play out është rritur. Kastrioti, Korabi dhe Burreli do të luftojnë fort në këto dy javë për vendin e 6. Ndërsa Luftëtari me 28 pikë, Kukësi me 28 pikë, Apolonia me 27 pikë dhe Lushnja me 26 pikë, do të luftojnë për të mos rënë direkt në kategorinë e dytë. Por sfida e nesërme nuk do të jetë e fundit për skuadrën e Burrelit pasi javën e ardhshme do të mbyll zyrtarisht garën me një tjetër përballje në “Liri Ballabani”, ku do të presë ekipin e Apolonisë së Fierit i cili aktualisht është në vendin e parafundit. Deri në javën e 22-të dy ekipet që kalojnë direkt në superligë janë Skënderbeu dhe Laçi, ndërsa ekipet që do të luftojnë për vendin e tretë që luan në play off me vendin e tretë nga fundit të superligës janë Pogradeci, Iliria, Besa dhe Kastrioti.