Ndonëse vijon ngërçi mes drejtuesve të Ligës së Profesionistëve të Futbollit, ekipi i Burreli nuk do të rrijë vetëm me stërvitje. Pas disa miqësoresh të zhvilluara me ekipe të superligës, matjanët do të testojnë veten të shtunën përballë një tjetër ekipi, po të ligës superiore.
Djemtë e drejtuar nga tekniku Samuel Nikaj do të përballen me ekipin e Laçit. Ndeshja do të luhet në Pezë Helmes në orën 14:00. Drejtues të klubit dhe stafit teknik thanë se qëllimi i këtyre takimeve është mbajtja në formë e skuadrës, pasi ende nuk ka një datë se kur do të nisë gara për sezonin 2020 – 2021.
“Mendoj që kjo miqësore vendos pikat mbi i, për secilin nga lojtarët. Ne vijojmë të stërvitemi intensivisht pavarësisht rezultateve që kemi patur në miqësore. Gara e vërtetë ende nuk ka nisur ndaj dhe s’mund të jemi të kënaqur me performancën. Shpresojmë që të mos vonohet më shumë fillimi i sezonit të ri sepse kjo nuk është gjë e mirë për asnjë ekip. Nuk do të ketë shumë rëndësi se me sa grupe do të jetë gara, megjithëse një grup i vetëm do të jetë garë më e fortë” – tha mes të tjerash trajneri Nikaj.
Burreli ka zhvilluar dy miqësore me ekipe të superligës deri tani, duke mundur Kastriotin e Krujës në shtëpinë e tij si dhe Bylisin në Ballsh. Formacioni i Burrelit i krijuar për këtë sezon është mjaft premtues, për të arritur një objektiv madhor që i drejtuesit i kanë vendosur vetes, atë të kalimit në superligë.
Gjithsesi historia ka treguar se gara në kategorinë e parë ka qenë vazhdimisht e vështirë dhe në të nuk kanë munguar as surprizat për ekipin që ngjitet në superiore apo atë që zbret në një kategori më poshtë.