Klubi i Futbollit Burreli nuk ka humbur kohë për të kërkuar pasuesin e Saimir Patushit i cili u shkarkuar vetëm një ditë më parë. Matjanët janë në bisedime me të paktën tre persona të cilët mund të jenë zëvendësuesit e Patushit. Ndonëse ende nuk ka asgjë konkrete, emri më i përfolur është ai i Alert Alcanit. Ky i fundit ka qenë edhe më parë në krye të pankinës matjane. 42 vjeçari e ka drejtuar skuadrën e Burrelit që prej mesit të Tetorit të vitit 2019 deri në fund të muajit Janar 2020. Megjithatë, Drejtori Teknik i Klubit të Burrelit, Klevis Gjoka nuk konfirmon emrin e trajnerit të ri. I pyetur nga Mat Televizion, Gjoka tha se janë në bisedime me tre trajner, ndërsa ende me asnjërin prej tyre nuk ka dakordësi. Megjithatë, gjoka shton se javën e ardhshme, Burreli do të ketë trajnerin e ri për të vijuar objektivin e nisur që në fillim të sezonit. Nisur nga kjo matjanët do të drejtohen në ndeshjen e javës së 12 në transfertë kundër Vorës nga zëvendëstrajneri Endrit Kaca.