Ndryshe nga fundajavat e kaluara kjo fundjavë do të jetë totalisht e mbyllur. Vendimi për ndalimin e lëvizjeve dhe mbylljen e të gjitha biznesve përfshirë edhe bizneset ushqimore e ato të farmacive hyri në fuqi në orën 17:00 të së premtes. Ndërkohë gjatë paradites qytetarët u dyndën në dyqane për të marrë furnizimet e nevojshme pasi për më shumë se 60 orë do të duhet të qëndrojnë në shtëpi. Në rrugët e qytetit të Burrelit gjatë këtyre dy ditëve do të jenë vetëm forcat e policisë së shtetit, asaj ushtarake dhe asaj bashkiake. Përjashtim do të ketë vetëm për punonjësit e pastrimit ato të shërbimeve kyçe dhe personelin shëndetësor. Institucionet shëndetësore vijojnë të bëjnë apelin e tyre për qytetarët që të zbatojnë masat me përpikmëri si mbajtjen e higjenës dhe distancimin social si dhe në rast të shfaqjes së shenjave të Covid-19 të telefonojnë menjëherë numrin e urgjencës 127. Megjithëse Qarku i Dibrës vijon të jetë i paprekur nga virusi korona, harta e të infektuarve po zgjerohet çdo ditë në vendin tonë.