Janë zhvilluar këtë të mërkurë 5 nga 6 ndeshjet e javës së 10 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Ekipi i futbollit “Burreli” u përball me ekipin e Vorës. Këtij të fundit i kanë mjaftuar 45 minuta lojë për të marrë tri pikë të plota. Skuadra e Vorës arriti të shënojë dy herë në portën matjane me Vrapin dhe Ruzgis në minutat 37 e 43.
Këto dy gola i dhanë skuadrës së Vorës e cila tashmë është kryesuese e kategorisë së parë tri pikë të plota. Ndërkohë, Kukësi u mund nga Besa me rezultatin 5 me 0, Valbona dhe Kastrioti ndanë nga një pikë pasi takimi përfundoi me porta të paprekura, Korabi mundi në shtëpinë e tij ekipin e Pogradecit me rezultatin 3 me 1, ndërsa Apolonia e Fierit mundi thellë, 5 me 0 ekipin e Erzenit të Shijakut.
Tre ekipet e para të kësaj kategorie janë në rivalitet të fortë pasi Vora ka 25 pikë, ndërsa Besa e Flamurtari me nga 24 pikë. Lista mbyllet me Erzenin e Shijakut që ka arritur të sigurojë vetëm një pikë, ndërsa Burreli është i pozicionuar në vendin e 4 me 15 pikë.
Në ndeshjen e javës së 11 të Kampionatit të Kategorisë së Parë në futboll, ekipi i Burrelit do të presë në shtëpi ekipin e Kukësit.