Matjanët zhvilluan një lojë mjaft ndryshe nga javët e kaluara të shtunën në “Liri Ballabani” ku përballë kishin një nga skuadrat pretendente të grupit A për superligë, Besëlidhjen e Lezhës. Matjanët morën 3 pikë të rëndësishme për ecurinë e tyre falë dopietës së Mitrajt të shënuar në pjesën e dytë. Miqtë janë më agresiv në pjesën e parë duke gjuajtur disa herë drejt portës së vendasve, por Bytyçi e mbron atë me fanatizëm. Është Kamara i cili del i vetëm me portierin matjan, por nuk arrin të finalizojë me gol aksionin e minutës së 22 gjatë gjuajtjes me kokë. Në minutën e 33 është Mitraj që mund të kalonte ekipin e tij në avantazh, por topi ndalet pa rrezik nga portieri mik, Bajri. Hoxha ka një mundësi në minutën e 39 por është mbrojtja matjane e cila nuk lejon topin të shkojë në rrjetë. Miqtë tentojnë deri në minutën e fundit të pjesës së parë me Hajdarin, Kamara e Hoxha por pa sukses. Pjesa e dytë nis ndryshe duke bërë që vendësit të hidhen në sulm. Në minutën e 55 Mitraj merr një pasim nga e djathta e tij dhe gjuan drejto portës së Bajrit i cili nuk mund të bëjë asgjë, e topi përfundon në rrjetë.
Stadium “Liri Ballabani” shpërthen në festë, por djemtë në fushë nuk ndalin hovin, duke kërkuar me ngulm ndryshim të rezultatit. Në minutën e 70 miqtë shënojnë me Dordeviç por anësori Shazivari ngre flamurin për pozicion jashtë loje. Pesë minuta më vonë do të vinte edhe goli i dytë për matjanët me të njëjtin autor, Mitraj. Ky i fundit merr një topi nga një goditje këndi dhe godet drejt portës. Topi largohet nga mbrojtja por për gjyqtarin anësor Gernard Çirici topi e kishte kaluar vijën fatale, duke e quajtur golin.
Miqtë protestojnë bashkë me trajnerin Plori, por për gjyqtarët nuk ka kthim pas, Burreli 2 e Besëlidhja 0. Tifozët nuk përmbahen duke brohoritur në kor. Miqtë demoralizohen dhe nuk mund të bëjnë asgjë edhe me pesë minutat shtesë të dhëna nga gjyqtarët. Trajneri i Burrelit, Alert Alcani tha se rezultati i sotëm tregoi një përmirësim të dukshëm të ekipit nga java në javë.
Për trajnerin e Besëlidhjes, Elvis Plori skuadra e tij dha maksimumin në lojë sidomos në pjesën e parë, por goli i Burrelit e uli moralisht duke zbehur lojën. Plori shpreh dyshime edhe për golin e dytë të Burrelit.
Rezultatet e ndeshjeve të tjera në grupin A ishin, Tërbuni – Egnatia 3 me 2, Shkumbini – Veleçiku 1 me 2 dhe Erzeni – Korabi 1 me 2. Klasifikimin e gruopit A vijon ta mbajë Korabi me 16 pikë, ndjekur nga Besëlidhja me 12 pikë.