Ekipi i Burrelit fitoi të dielën përballë Orikut me rezultatin dy me zero. Të dy golat e kësaj ndeshje u shënuan nga pika e bardhë e penalltisë. Matjanët e nisin në ofensivë ndeshjen ku trajneri Samuel Nikaj kishte ndërtuar një formacion ofensiv për të gjetur rrjetën që në minutat e para të takimit. Por goli9 i parë i kësaj ndeshje do të vinte vetëm në minutën e 33. Sulmuesi Jasmin Raboshta pengohet pranë vijës fatale nga Qejvani, ndërsa për kryesorin Kotomelo ka penallti. Ekzekutimi i saj do t’i besohej Donati Tomës, i cili godet saktë dhe kalon ekipin e tij në avantazh. Miqtë tentojnë t’i afrohen portës së Mirakës, ndërsa vetëm në minutën e 39 është Qejvani që gjuan me kokë por gardiani i portës matjane pret sakt. Vetëm një minut më vonë është Toma i cili mund të kishte shënuar golin e dytë të tij. Megjithatë, pjesa e parë mbyllet me këto episode, ndërsa ekipet shkojnë në dhomat e zhveshjes. Në pjesën e dytë është Raboshta i cili në minutën e 60 mund të kishte dyfishuar rezultat, por portiere Bushi është i vëmendshëm. 2 minuta më vonë matjanët fitojnë një tjetër penallti. Një dalje e portierit Bushi pengoi Kurbneshin dhe Kotomelo vendos njëmbëdhjet metërsh. Kjo gjuatje ju besua Uendi Vecajt i cili ashtu si Toma godet saktë dhe shënon golin e dytë. Por pak para se të zëvendësohej Toma humb një rast të pastër pasi gjendej fare pranë portës mike, por gjuatja e tij nuk është e saktë. Me këto episode mbyllet e gjithë ndeshja, ndërsa Burreli hyn në fazën e tretë me 34 pikë të grumbulluara. Trajneri Samuel Nikaj tha se skuadra e tij ka luajtur vazhdimisht nën presion psikologjik për vetë objektivin e vendosur, megjithatë sipas tij deri tani është bërë një punë mjaft e mirë.