Ekipi ynë i futbollit Burreli ka zhvilluar një ndeshje shumë të mirë këtë të mërkurë përballë një ekipi të fortë në kategorinë e parë siç është Bylisi i Ballshit. Skuadra e drejtuar nga tekniku Klevis Hima arriti të marrë tri pikë të plota në këtë përballje falë një goli të shënuar në fund të pjesës së parë. Megjithëse miqtë tentuan të ushtrojnë presion ndaj vendësve që në minutat e para, djemtë matjan arritën të kontrollojnë lojën duke mos lejuar asnjë finalizim aksioni nga ana e miqëve falë edhe gardianit të portës Dani. Ndërsa pjesa e parë ishte drejt fundit, është Farruku në minutën e 43 i cili ekzekuton saktë një asist të marrë nga e djathta e tij. I gjendur pranë portës kundërshtare, Farruku gjuajti saktë duke tund rrjetën e portës mike.

 Pjesa e parë mbyllet me këto episode, ndërsa pjesa e dytë nis furishëm nga vendësit të cilët jo vetëm nuk u fokusuan në mbrojtje të rezultatit por zhvilluan sulme të rrezikshme herë pas here ndaj ekipit mik. Megjithë 6 minutat shtesë të dhëna nga gjyqtari kryesor Olsi Sokoli, ndeshja nuk pati ndryshim rezultati duke u mbyllur gjithçka Burreli 1 e Bylisi 0.

Tri pikët e marra këtë të mërkurë e ngjisin Burrelin në vendin e 7 me 31 pikë ndërsa Bylis mbetet në vendin e dytë në kuotën e 58 pikëve. Ndeshjet e tjera të luajtura këtë të mërkurë përfunduan: Apolonia – Tomori 2 me 1, Korabi  – Flamurtari 1 me 1, Kastrioti – Elbasani 2 me 2 dhe Besa – Luzi Vogël 2008 4 me 1.