Janë zhvilluar të dielën ndeshjet e javës së 25 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Matjanët pritën në stadiumin “Liri Ballabani” ekipin e Turbinës së Cërrikut, një skuadër kjo e cila humbur shancet për të nisur sezonin e ardhshëm në kategorinë e parë. Ka qenë Kastrati i cili ka hapur siparin e golave që në minutën e 9. Ndërkohë vetëm nëntë minuta më vonë është Kurbneshi i cili dyfishon shifrat pas përfitimit të një penalltie. Miqtë ngushtojnë rezultatin e takimit në minutën e 33 me Murrjan, ndërsa dy minuta nga përfundimi i pjesës së parë është Koleci që shënon golin e tretë për Burrelin. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin Burreli 3 e Turbina 1. Ndërkohë edhe pjesën e dytë matjanët e nisin furishëm duke kërkuar me ngulm golin e radhës. Është Farruku i cili shënon golin e katërt për Burrelin dhe të fundit për këtë përballje, duke u mbyllur gjithçka Burreli 4 e Turbina 1.

Tri pikët e marra ndaj Turbinës e mbajnë Burrelin në zonën play out, ku do të duhet të përballet me një nga ekipet e vendit të dytë të kategorisë së dytë.

Gara në kategorinë e parë do të mbyllet me datë 18 Maj, ku matjanët do të luajnë në transfertë ndaj Besës së Kavajës e cila ka siguruar qëndrimin edhe për një sezon në kategorinë e parë pasi aktualisht ka 34 pikë, kundrejt 31 pikëve që ka grumbulluar Burreli në 25 ndeshje të luajtura.