Trajneri i Burrelit Gentjan Stojku ende nuk është i bindur për lojtarët që janë grumbulluar deri tani.
Stojku vijon t’i testojë të gjithë futbollistët para se me ta të lidhet një kontratë për sezonin e ardhshëm. Dy brazilianët e testuar pak ditë më parë nuk e kanë bindur ende stafin teknik. Po ashtu mësohet se pranë Burrelit është afruar edhe një sulmues i cili edhe ai do të provohet.
Nisur nga këto prurje, këtë të Mërkurë do të zhvillohet një tjetër miqësore në Pezë Helmes. Burreli i dalë nga merkatoja e deri tanishme do të masë forcat me ekipin e Shënkollit të Lezhës.
Burime pranë klubit të Burrelit thanë se zhvillimi i miqësoreve i jep mundësinë stafit teknik të jetë i drejtë në vlerësimin e sportistëve, e po ashtu edhe vetë sportistëve të cilët duhet të maten me një kundërshtarë të vërtetë në fushën e lojës.
Ekipi matjan ka ende mungesa pasi është në kërkim të një qendërmbrojtësi. Skuadra pritet të zhvendoset javën e ardhshme në Burrel, ku dhe do të vazhdojë stërvitjen për të pritur nisjen e kampionatit. E deri atëherë, stafi po bën të gjitha përpjekjet për ta kompletuar e për të qenë një ndër ekipet me dinjitoze të këtij sezoni në garën e vështirë të së parës.