Ekipi ynë i futbollit “Burreli” do të luajë të dielën ndeshjen javës së 30 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll për sezonin 2023 – 2024. Matjanët përballen në transfertë me ekipin e Kastriotit të Krujës, i cili është vetëm një pikë dhe një vend larg skuadrës së “Burrelit”.

Djemtë e skuadrës matjane, të drejtuar nga tekniku Klevis Hima, do të duhet të bëjnë maksimumin në këtë përballje pas humbjes së javës së kaluar, ku u mundën me rezultatin 1 me 0 nga Tomori i Beratit.

Tashmë gara është vështirësuar teksa ekipi Burreli ka zbritur në vendin e 9, pasi është kapërcyer nga ekipet Besa e Kavajës dhe Lushnja, të cilat kanë po aq pikë sa Burreli.

Kujtojmë se sipas formulës së kampionatit futbollistik, ekipet që ndodhen në vendet 9 e 10 do të duhet të luajnë në “play out” për të qëndruar në kategorinë e parë, ndeshje të cilat zhvillohen me ekipet e vendeve të dyta të kategorisë së dytë.

Elbasani tashmë ka shpallur titullin kampion në kategorinë e parë, pasi vijon të mbajë kreun e kësaj kategorie, ndërsa deri tani të rënët direkt në kategorinë e dytë janë Tomori i Beratit dhe Luzi i Vogël 2008 i Kavajës.