Ekipi i futbollit “Burreli” do të luajë të premten ndeshjen vendimtare të këtij kampionati. Matjanët do të përballen me ekipin e kategorisë së dytë “Pogradeci” i cili synon ngjitjen në kategorinë e parë. Skuadra e drejtuar nga tekniku Dorian Bubeqi ka mundësinë e fundit për këtë sezon që të qëndrojë në kategorinë e parë.

Përballja mes dy skuadrave do të zhvillohet në stadiumin e Rrogozhinës të premten e 26 Majit në orën 16:00. Skuadra matjane ka zhvilluar stërvitje të ngjeshura për të qenë në formë të shkëlqyer në përballjen e nesërme e cila do të vendosë fatin e pjesmarrjes ose jo vitin e ardhshëm në kategorinë e parë.

Për të qenë në formën më të mirë të mundshme, skuadra ka udhëtuar që ditën e sotme drejt Rrogozhinës për tu akomoduar aty dhe të jetë gati për sfidën e nesërme.

Ndeshje pritet të jetë shumë e vështirë për shkak se edhe pogradecarët synojnë rikthimin në të parën me në krye ish trajnerin e Burrelit, Samuel Nikaj.