Janë zhvilluar këtë të mërkurë ndeshjet e raundit të parë të garës për Kupën e Shqipërisë në futboll. Ekipi i futbollit “Burreli” priti në shtëpinë e tij ekipin e Sopotit të Librazhdit. Ndeshja e luajtur në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit përfundoi me fitoren e thellë të vendësve.

Matjanët arritën ta gjejnë rrjetën e portës mike që në minutën e 11 me Farrukun, ndërsa brenda 45 minutave të pjesës së parë arritën të shënojnë edhe dy herë të tjera me Sinën në minutën e 42 dhe me Ramos në minutën e 44.

Pjesa e parë u mbyll me rezultatin e thellë 3 me 0 për djemtë e drejtuar nga tekniku Ditmar Bicaj, ndërsa rezultati final do të vulosej në minutën e 69 të lojës nga Arango.

I gjithë takimi u mbyll me rezultatin Burreli 4 e Sopoti 0. Tekniku Bicaj ka aktivizuar një pjesë të konsiderueshme të lojtarëve që kanë luajtur pak minuta në ndeshjet zyrtare të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Kualifikimi në raundin e dytë të garës për kupën e Shqipërisë e vë Burrelin përballë Apolonisë së Fierit, ndeshje e cila do të luhet në fushën fierake. Ndeshjet e turit të dytë do të luhen më datë 20 Nëntor.