Pak ditë më parë në krye të pankinës matjane u zyrtarizua Saimir Patushi, ish futbollisti i Burrelit me një karrierë të pasur dhe të suksesshme në futbollin shqiptar. Ndërkohë, këtë të shtunë, Patushi është prezantuar bashkë me pjesën tjetër të stafit që do të punojnë për sezonin e ri të kategorisë së parë, 2021 – 2022. Administratori i Klubit të Futbollit “Burreli”, Bajram Ballabani e njohu trajnerin e ri dhe zëvendësin e tij me ambjentet e brendshme të stadiumit si dhe ato të jashtme. Ballabani tha se stafi teknik dhe drejtues i këtij sezoni do të jetë trajneri Saimir Patushi, zëvendësi i tij Endri Kaca, trajner i portierëve Marjan Lleshaj, Drejtori Teknik i Klubit Klevis Gjoka.
Ndërkohë, vetë Patushi zbuloi një pjesë të planeve për sezonin e ri, ku theksoi aktivizimin e elementëve të rinj vendës, por nuk përjashtoi mundësinë e afrimit të elementëve cilësor që duhen për t’i bërë ballë garës së fortë që pritet të ketë ky sezon.
Sipas drejtuesve të Klubit skuadra pritet të grumbullohet gjatë muajit Korrik ndërsa do të punohet për gjetjen e elementëve cilësor.