Ekipi i Burrelit e ka rinisur me një fitore bindëse garën në kampionatin e kategorisë së parë në futboll. Matjanët fituan pastër në transfertë ndaj Veleçikut të Koplikut. Ndeshja e luajtur në “Reshit Rusi” në Shkodër përfundoi me katër gola të shënuar nga Burreli në portën e Veleçikut. Djemtë e besuar të teknikut Samuel Nikaj shënuan nga dy gola për secilën pjesë. Ka qenë sulmuesi Jasmin Raboshta që hapi siparin e golave, duke shënuar në minutën e 21. Vetëm 15 minuta më vonë, japonezi Yuta Takahashi shënoi golin e dytë për ekipin e Burrelit, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej në favor të ekipit të tij 2 me 0.
Donate Toma do të trefishonte rezultatin e këtij takimi, duke shënuar në minutën e 53. Ndërkohë aksionet e vendasve nuk arritën të finalizoheshin në asnjë rast, falë mbrojtes dhe gardianit të portës matjane Festim Miraka.
Shtatë minuta nga fundi, matjanët katërfshiojnë rezultatin. Është Maringlen Stana i cili shënon golin e fundit të këtij takimi në minutën e 83. Për vendasit nuk ka më asnjë shpresë për të thyer rezultatin, duke bërë që gjithçka në “Reshit Rusi” të mbyllej Veleçiku 0 e Burreli 4.
Tri pikët e marra e çojnë Burrelin në kuotën e 19 pikëve, një pikë më pak se Dinamo e vendit të parë në Grupin A. Ndeshjet e tjera të luajtura sot përfunduan Vora – Besëlidhja 2 me 1 dhe Oriku – Korabi 1 me 0. Dinamo me Erzenin e Shijakut do të përballen të dielën.