Në javën e katërt të këtij kampionati, ekipi matjan i futbollit ka gjetur fitoren e parë pas dy barazimeve dhe një humbjeje. Burreli u përball këtë të shtunë në stadiumin “Liri Ballabani” me ekipin e Besës së Kavajës, duke shënuar plot 5 herë në portën kundërshtare. Matjanët ishin ofensiv që në minutat e para dhe në të 11 është Farruku që gjen rrjetën kavajase.
Vetëm 7 minuta më vonë Fabio Hasa dyfishon rezultatin duke i dhënë më shumë kurajo skuadrës matjane.
Tre minuta më vonë është Markovanbasten Cema i cili godet saktë drejt portës së Dobjanit dhe trefishon rezultatin.
Në minutën e 26 është Camko që ngushton rezultatin, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej 3 me 1 për vendasit.
Edhe në pjesën e dytë u shënuan dy gola. Matjanët nuk i ndalën sulmet ndaj miqëve, ndërsa këta të fundit tentuan të ngushtojnë shifrat. Megjithatë, Brilant Hasaj shënon në minutën e 80, ndërsa vetëm dy minuta më vonë shënon golin e pestë për Burrelin dhe të fundit për këtë takim, Andri Stafa.
Për miqtë nuk ka më kohë për asgjë, ndërsa gjithçka mbyllet Burreli 5 e Besa 1. Për teknikun matjan, Saimir Patushi, fitorja do të vinte pas zgjidhjes së ngërçit në finalizim të aksioneve.
Ndërkohë për trajnerin e Besës, Ndriçim Kashani skuadra e tij gaboi që në fillim në mbrojtje, duke i dhënë mundësi kundërshtarit të shënonte.
Ndeshjet e tjera të luajtura sot përfunduan, Apolonia – Tërbuni 0 me 1, Shkumbini – Maliqi 3 me 1, Pogradeci – Bylis 1 me 2, Korabi Besëlidhja 3 me 1, Lushnja – Butrinti 1 me 0, Vora Tomori 1 me 1 dhe Erzeni – Turbina 3 me 1.