Këto janë pamjet e qytetit të Burrelit paraditen e kësaj të hëne pas vendosjes së fashave të reja të lëvizjes së qytetarëve. Nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 13:00 qytetarët u dyndën në dyert e supermarketeve, furrave të bukës, frutaperimeve etj. pamjet në rrugë ishin si të një dite të zakonshme kur ende në vendin tonë nuk kishte asnjë rast të Covid-19.

Me qese në duar, qytetarët nxitonin për të blerë produktet bazike e për tu rikthyer në banesë para se të skadonte orari i lëvizjes.

Sapo ora shkoi 13:00 të gjitha rrugët e qytetit të Burrelit u boshatisën menjëherë. Qytetarët nxituan për tu kthyer në banesat e tyre pas hyrjes në fuqi të vendimit për karantinimin e gjithë popullatës nga ora 13:00 e kësaj të shtune deri në orën 5 të mëngjesit të së hënës.

Ndërkohë në mbështetje të policisë së shtetit dhe asaj bashkiake, ishte edhe policia ushtarake nga Detashmenti i Mbështetjes Rajonale, Burrel.

Të gjitha rrugët e qytetit Burrelit po monitorohen nga policia e shtetit e ajo ushtarake. Ndërkohë kanë nisur kontrolle edhe në ndërtesat e braktisura pasi dyshohet se ka grumbullime, kryesisht të rinjsh.