Ekipi i Burrelit kishte ndeshjen vendimtare këtë javë përsa i përket qëndrimit ose jo në kategorinë e parë. Megjithëse kampionati për matjanët mbyllet javën e ardhshme, ndeshja me Vorën kishte rëndësi të madhe. Një gol i vetëm i kësaj ndeshje i shënuar nga Levendi i dha Burrelit tri pikë të cilat nuk i siguruan më shumë se vendin e play off-it. Vendasit e nisin me ofensiva në minutën e 10 me Hysenin i cili humb një rast ideal për të kaluar të tijët në avantazh. Janë miqtë që kundërpërgjigjen pas dy minutash me Myslimin. Në minutën e 30 Rahova i Burrelit dëmtohet rëndë, ku dhe u transportua me autoambulancë në spital. Vendin e tij do ta zinte Ngjela, Allmeta për miqtë i cili ishte ndëshkuar në minutën e 32 për ndërhyrje të gabuar, merr një tjetër karton të verdhë në minutën e 38’ duke bërë që ekipi i tij në vazhdim të luante me një lojtar më pak. Gjithësesi pjesa e parë mbyllet me këto dy raste të pastra për tu shënuar gol. Në pjesën e dytë miqtë janë ofensiv edhe pse në disavantazh numerik ndaj Burrelit. 3 minuta nga fillimi i pjesës së dytë është Mash ii cili godet me kokë, por topi ndalet nga shtylla horizontale e portës matjane. dy raste të pastra kishte Levendi para se të shënonte gol. Në minutat 57’ dhe 60’, ai mund të kishte shënuar, por gardiani i portës mike Mertkola nuk e lejon një gjë të tillë. Në të 63 është Myslimi që godet fort, por nuk ka rrezik për Vuksanoviç.Goli do të vinte në minutën e 86 kur Levendi merr një top nga një goditje fundore dhe me kokë godet shtyllën e djathtë të portës mike, top i cili përfundon në rrjetë. Pesë minutat shtesë të akorduara nga kryesori Roxhers Muska nuk ndryshojnë asgjë, duke u mbyllur gjithçka Burreli 1 e Vora 0. Për tifozërinë matjane kishte festë, ndërsa miqtë u hidhëruan sepse për ta nuk ka më shpresë mbijetese në kategorinë e parë. Trajneri i Burrelit Elvis Plori tha se fitorja e sotme ka siguruar vetëm zonën play off, ndërsa do të luftojë për të fituar në transfertë javën e ardhshme ndaj Veleçikut.