Këtë të shtunë ekipi i futbollit Burreli do të duhej të përballej me ekipin e Tërbunit të Pukës që korespondonte me javën e parafundit të kampionatit të kategorisë së parë. Por kjo ndeshje nuk do të luhet dhe Burreli e fiton atë në tavolinë me rezultatin 3 me 0. Pukjanët u dënuan nga Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit me rënie të menjëhershme nga kategoria pas dhunës që u ushtrua nga zyrtarë të klubit dhe të tjerë, ndaj ekipit mik të Egnatias së Rrogozhinës, ku një prej dhunuesve ishte edhe ish deputeti Mark Frroku. Kjo rënie direkte tashmë i jep mundësinë Veleçikut që ishte në vendin të fundit të luftojë për të qëndruar në kategorinë e parë, pasi tashmë ka kaluar në vendin e parafundit dhe luan në play off me ekipin e dytë të grupit B në kategorinë e dytë. Të shtunën do të luajë Dinamo ndaj Veleçikut ku diferenca e pikëve është vetëm 2. Kjo do të jetë edhe ndeshja e fundit e koplikasve për këtë sezon. Ndërkohë të Mërkurën e ardhshme mbyllet e gjithë gara ku ndeshja e vetme që do të luhet do të jetë ajo mes Egnatias së Rrogozhinës dhe Burrelit, pasi Dinamo e Tërbuni nuk do të luhet.