Ekipi i Burrelit është rikthyer tek fitorja pas humbjes së një jave më parë në “Liri Ballabani” ku u mund minimalisht 1 me 0 nga Bylisi i Ballshit.
Matjanët u përballën këtë të shtunë në transfertë kundër ekipit të Turbinës së Cërrikut duke e mundur këtë të fundit me rezultatin 2 me 1.
Kanë qenë cërrikasit të cilët e kanë gjetur rrjetën e portës kundërshtare të parët, duke shënuar me Hasajn që në minutën e 22 të pjesës së parë.
Pesë minuta para se të mbyllej kjo pjesë, matjanët kanë barazuar shifrat me kapitenin Dibra, duke bërë që në pushimin e ndeshjes skuadrat të shkonin në barazim një me një.
10 minuta nga fillimi i pjesës së dytë është Farruku i cili shënon golin e dytë për Burrelin dhe të fundit për këtë takim të javës së shtatë të kampionatit të kategorisë së parë në futboll, duke mbyllur gjithçka me rezultatin Turbina 1 e Burreli 2. Me tri pikët e marra në këtë transfertë matjanët ngjiten në vendin e pestë në kuotën e 11 pikëve.