Matjanët vijojnë ta mbajnë ekipin e karikuar duke zhvilluar miqësore me skuadra të ndryshme dhe në kategori të ndryshme. Të Mërkurën djemtë e besuar të teknikut Samuel Nikaj zhvilluan një takim miqësor me skuadrën e kategorisë së parë në kampionatin e Kosovës, “2 Korriku”-n. Ndeshja u zhvillua në kompleksin “Olimpik”. “2 Korriku” është një skuadër që luan në grupi B të kategorisë së parë në Kosovë dhe ka një akademi që ka nxjerrë talente që janë bërë pjesë në ekipin kombëtarë të Shqipërisë, siç është portiere Etrit Berisha, por edhe në përfaqësuesen e Kosovës. Matja e “forcës” mes këtyre ekipeve ka qenë në nivel miqësor, por dhe për të marrë rezultat. Trajnerët kanë aktivizuar formacionet kryesore, ndonëse më pas kanë futur në lojë rezervat. Pjesa e parë është mbyllur me porta të paprekura, ndërsa në pjesën e dytë kanë shënuar për matjanët Kurbneshi dhe Vecaj. E gjithë loja është mbyllur me rezultatin 2 me 0 për Burrelin. Trajneri Samuel Nikaj tha se skuadra e tij është në formë të mirë dhe se po testohet në anën teknike, duke korigjuar nga ndeshja në ndeshje gabime të vogëla.
“Unë mendoj që jemi në formë të mirë për të nisur garën, ndonëse ajo është shtyrë për në datën 6 Shkurt. Krahas stërvitjes së vazhdueshme ne kemi zhvilluar edhe ndeshje miqësore. Mendoj që këto na vlejnë shumë për të mbajtur ekipin të karikuar. Ndeshja me skuadrën e “2 Korriku”-t nuk shkoi ashtu siç e prisja. Patëm disa probleme teknike në pjesën e parë, por që i zgjidhëm në të dytën. Gjithsesi loja varet nga kundërshtari që do të kemi përballë ndaj ne po testojmë të gjitha mënyrat, duke nisur me ofensivë direkte, mbrojtje-sulm apo dhe mbrojtje. Teknikat që po përdorim në këtë fazë përgatitore mendoj që do të na vlejnë kur të nisë gara e vërtetë në grupin tonë” – tha Nikaj.
Burreli ka menduar që të mos ndalojë ndeshjet miqësore, ndaj ka planifikuar edhe këtë të shtunë të luajë një të tillë, por pa bërë publik kundërshtarin që do të ketë përballë.