BURRELI FESTON 31 KORRIKUN, NËN ATMOSFERËN E MUZIKËS DHE KUJTESËS HISTORIKE

BURRELI FESTON 31 KORRIKUN, NËN ATMOSFERËN E MUZIKËS DHE KUJTESËS HISTORIKE

Burreli u përfshi mbrëmjen e së premtes nga atmosfera festive e 31 Korrikut, një datë me rëndësi të veçantë për Matin, që përkon me përvjetorin e Kryengritjes Popullore të Matit të vitit 1943. Qindra qytetarë dhe vizitorë u mblodhën në sheshin "Ahmet Zogu", ku nisi nata e parë e aktiviteteve të "Festës së Miqësisë – Mat 2026". Mbrëmja u shoqërua me muzikë live, interpretime artistike dhe një pjesëmarrje të gjerë të familjeve, të rinjve dhe të moshuarve, të cilët krijuan një atmosferë festive që zgjati deri në orët e vona. Në skenë ishin parashikuar të ngjiten artistët Eugena Aliu, Fjorela, Ori Buna dhe Artan Kola, të cilët sollën një repertor të larmishëm, të mirëpritur nga publiku me duartrokitje dhe entuziazëm. ………………. Përveç karakterit festiv, 31 Korriku mbetet një nga datat më të rëndësishme në historinë e krahinës së Matit. Më 31 korrik 1943 shpërtheu Kryengritja Popullore e Matit, një nga lëvizjet më të mëdha të rezistencës shqiptare kundër pushtimit fashist italian gjatë Luftës së Dytë Botërore. Festimet verore në Burrel do të vijojnë edhe më 1 dhe 2 gusht në sheshin "Ahmet Zogu". Më 1 gusht janë parashikuar të performojnë Orgito Dapa, Gerta Mahmutaj dhe Rea Nuhu, ndërsa mbrëmjen përmbyllëse të 2 gushtit do të ngjiten në skenë Endri & Stefi, Lorenc Hasrama dhe Valdrin Mustafa. "Festa e Miqësisë – Mat 2026" synon të bashkojë qytetarët dhe vizitorët përmes muzikës, kulturës dhe traditës, duke e kthyer këtë fundjavë në një festë të madhe për të gjithë matjanët.