Janë zhvilluar këtë të Enjte ndeshjet e kthimit të turit të parë eleminator të kupës së Shqipërisë në futboll. Matjanët pritën në shtëpi ekipin e Besëlidhjes së Lezhës, pas ndeshjes barazim që ishte mbyllur në stadiumin besëlidhja në përballjen e parë mes tyre. Formacionet me të cilat u paraqitën në fillim skuadrat, treguan se asnjëri prej tyre nuk e kishte seriozisht këtë garë, pasi mendjen e kanë tek ndeshja e radhës në kampionat e cila do të jetë po mes tyre, por do të zhvillohet në Lezhë. Ndërkohë sa i përket këtij takimi pjesa e parë u dominua me lojë nga miqtë të cilët rrezikuan disa herë portën e mbrojtur nga Bushi. Një minut para se të mbyllej ky fraksion, lezhjanët gjejnë rrjetën e portës vendase me Jeremiç.
Trajneri Patushi e nis pjesën e dytë me tre zëvendësime, duke aktivizuar në lojë Dedgjonajn, Gjinollarin dhe Stanën. Por 9 minuta nga fillimi i kësaj pjese, miqtë dyfishojnë rezultatin me Jakun. Në lojë aktivizohet edhe Çema e Stafa, por asnjë nga aksionet e tyre nuk u finalizuan me gol. Miqtë shënojnë sërish në minutën e 69 me Jakun. Tre minuta më vonë matjanët shënojnë me Kolecin pas një gjuajtje diagonale nga djathta e portierit Kodra. Në minutën e 85 Burreli ngushton rezultatin me anë të Pervatajt, duke rritur shpresat për një barazim dhe ndeshje të shkonte në penallti. Por lezhjanët nuk ndalen, duke vijuar sulmet e njëpasnjëshme. Në minutën e 90-të është Marku i sapo future në lojë që shënon golin e katërt të tij dhe të fundit për këtë takim. Trajneri i Burrelit, Saimir Patushi nuk pronoi të prononcohej për mediat pas ndeshjes, ndërsa për trajnerin e besëlidhjes, Alban Bruka, kjo fitore do ta motivojë skuadrën për përballjen e radhës për kampionat që do të jetë këtë të dielë në stadiumin “Besëlidhja”.
Në plan të parë ne kemi kampionatin për vetë faktin ku pozicionohemi dhe kupën e kishim në plan të dytë. Ne erdhëm për të bërë një ndeshje dinjitoze, për të respektuar garën e kupës. Jam shumë i kënaqur nga ekipi për atë që shpalosi në fushën e lojës. Arritëmtë merrnim një fitore të merituar. Shpresoj që kjo fitore do të ndikojë në anën psikologjike të lojtarëve në ndeshjen e radhës që kemi në kampionat me Burrelin në Lezhë. Ishte një ndeshje që theu tabunë e fitoreve pasi në të vërtetë na kanë munguar” – tha Bruka.
Me këtë humbje matjanët e mbyllin përfundimisht garën për Kupën e Shqipërisë në këtë sezon, ndërsa vëmendja totale pritet të përqendrohet në kampionat.