Ka përfunduar në barazim sfida e luajtur të shtunën në stadiumin “Liri Ballabani” mes Burrelit dhe Kastriotit të Krujës, një ndeshje e cilësuar si më e rëndësishmja e javës. Skuadrat nuk kanë shënuar më shumë se nga një gol në portat respektive, duke ndarë përfundimisht nga një pikë. Të parët që kaluan në avantazh ishin miqtë të cilët vetëm dy minuta nga fillimi i lojës, zhvilluan një aksion shumë të mirë duke depërtuar në zonën e rreptësisë e më pas është Mehmeti që finalizon topin në rrjetë.

Miqtë janë më të qetë tashmë pas avantazhit, ndërsa vendasit mundohen të barazojnë shifrat. Është Fikaj që në tre raste mund të kishte shënuar, por gjuajtjet e tij përfunduan jashtë kuadratit të portës së mbrojtur nga Selaci. Në minutën e 27 është Sulmuesi Ajazi që gjuan një goditje dënimi përballë portës matjane, por është gardiani Koca i cili pengon topin të shkojë në rrjetë. Pak sekonda më pas sërisht Ajazi mund të kishte shënuar, por është sërisht Koca që e mbron me fanatizëm portën e tij. Ekipet shkojnë në pushim me golin e shënuar nga Mehmeti në minutën e dytë. Ndërkohë, pjesa e dytë nisi me një zëvendësim nga matjanët e dy nga Krutanët. Goli i barazimit do të vinte në minutën e 56’ kur Hyska niset nga e majta e tij duke shmangur disa mbrojtës krutanë dhe për Selacin nuk kishte mundësi pengimi. Goli i shënuar nga Hyska çoi në këmbë tifozërinë matjane e cila në këtë përballje kishte mbushur si kurrë më parë në vitet e fundit, shkallët e stadiumit. Ndryshimet e bëra në vazhdim nga të dy trajnerët, nuk ndryshuan asgjë, duke u mbyllur gjithçka Burreli 1 e Kastrioti 1. Ky rezultat mban Kastriotin në vendin e parë me 30 pikë dhe Burrelin në vendin e tretë me 22 pikë. Trajneri i Burrelit, Renato Hoti tha se skuadra e tij dha maksimumin:

Trajneri i Kastriotit Ramazan Ndreu, tha se skuadra e tij priste rivalitet në Burrel pas rezultateve pozitive të marra javët e fundit nga matjanët.

Ndërkohë ndeshjet e tjera të luajtura sot përfunduan: Tërbuni – Veleçiku 2 me 1 dhe Erzeni – Egnatia 0 me 1.