Ekipi i Burrelit po përgatitet për një tjetër sfidë të vështirë të cilën do ta luajë në stadiumin “Liri Ballabani” këtë fundjavë. Matjanët kanë pësuar deri tani plot tre humbje duke mos shënuar asnjë rezultat pas rikthimit në fushë nga situata e pandemisë. Por nëse ndeshjet e kaluara Burreli u përball me ekipet që ndodhen poshtë tij në renditjen e zonës play out në grupin A, të shtunën do të ketë përballë kryesuesen e zonës së rrezikut, Egnatian e Rrogozhinës. Miqtë vijnë në këtë takim me moral të lartë pasi mbajnë kreun me dy pikë më shumë se Burreli i cili ka 24 pikë aktualisht. Burime pranë klubit të futbollit “Burreli”, thanë se të hënën është zhvilluar një analizë e detajuar e humbjes ndaj Tërbunit të Pukës, ku janë parashikuar masa ndëshkuese ndaj futbollistëve nëse nuk rikthejnë rezultatin pozitiv këtë fundjavë ndaj Egnatias. Për tu mbyllur i gjithë kampionati do të duhen edhe pesë javë, ndërsa ekipet do të vijojnë të përballen papraninë e tifozëve.