Ekipi i Burrelit ka nisur merkaton e verës për të plotësuar skuadrën me të cilën do të garojë në kampionatin 2021 – 2022. Matjanët kanë bërë zyrtarizimet e para për këtë merkato. Drejtues të klubit bëjnë me dije se kanë firmosur kontratën edhe për sezonin në vijim me qendërmbrojtësin Aleks Dedgjonaj dhe mbrojtësin e djathtë Fabio Hasa, të cilët kanë qenë pjesë edhe të sezonit të kaluar në skuadrën e Burrelit.
Po ashtu, është zyrtarizuar afrimi edhe i mbrojtësit të majtë, David Gjinollari. Ky i fundit ka një karrierë të pasur në futboll pasi ka qenë pjesë e skuadrave edhe jashtë Shqipërisë.
Ndërkohë, mësohet se të gjithë lojtarët matjan që kanë qenë pjesë e sezonit të kaluar do të jenë pjesë edhe e këtij sezoni, pasi një ndër synimet e stafit teknik dhe klubit është afirmimi i lojtarëve vendës.
Në bisedime stafi është me një portier nga italia, një sulmues i kombëtares U-21 të Venezuelës, një qendërmbrojtës brazilian dhe një mesfushor brazilian që ka luajtur në Maqedoninë e Veriut.
Drejtues të Klubit dhe Stafit Teknik thanë se merkatoja do të vazhdojë deri me 15 Korrik, ndërsa dy javët e fundit të këtij muaji do të shërbejnë për seleksionimin e lojtarëve nga ana e stafit drejtues të ekipit.
Zyrtarisht Burreli do të nisë fazën përgaditore në fillim të muajit Gusht, fazë e cila do të ketë në fokus vetëm stërvitjen dhe jo merkato.
Emrat e lojtarëve që do të bëhen pjesë e Burrelit do të mësohen në ditët në vijim.