Ekipi ynë i futbollit “Burreli” do të zhvillojë një tjetër ndeshje të vështirë të shtunën e 6 prillit. Matjanët do të presin në shtëpi ekipin e “Besës” së Kavajës, një skuadër kjo e cila lufton për t’i mbijetuar rënies në kategorinë e dytë.
Ndërkohë, djemtë e drejtuar nga tekniku Klevis Hima janë të motivuar për ta fituar këtë ndeshje, e cila ka një rëndësi të madhe në garën për të qëndruar larg zonës së play-out të Kategorisë së Parë.
Duhet thënë se në garë të fortë janë dy skuadrat kavajase, Besa dhe Luzi Vogël 2008 të cilët kanë një diferencë prej 1 pikësh. Ekipi i Luzit ndodhet në vendin e 11, ndërsa Besa në vendin e 10 përkatësisht me 24 dhe 25 pikë.
Gara mes këtyre dy ekipeve vë në vështirësi Burrelin i cili duhet të luftojë fort për të fituar nesër përballë ekipit të Besës, pasi kjo e fundit do të kërkojë t’i largohet sa më shumë ekiipit Luzi Vogël 2008.
Megjithatë, mbetet për tu parë se si do të shkojë përballja në “Liri Ballabani” dhe ajo që do të luhet mes Luzit të Vogël 2008 dhe Kastriotit të Krujës, teksa ky i fundit tenton t’i afrohet Burrelit. Të gjitha takimet e kategorisë së parë do të nisin në orën 15:00.