Ekipet e kategorisë së parë në futboll do të zbresin të mërkurën në fushën e gjelbërt për të nisur kampionatin e sezonit 2020 – 2021. Matjanët do të luajnë ndeshjen e parë të tyren në shtëpi, ku do të presin në stadiumin “Liri Ballabani” ekipin e Veleçikut të Koplikut. Vetëm një ditë para ndeshjes, skuadra e drejtuar nga tekniku Samuel Nikaj ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore për të qenë në formën më të mirë të mundshme në përballjen me koplikasit. Duke qenë se është ndeshja e parë e këtij kampionati, kundërshtarët nuk e njohin lojën e njëri-tjetrin e nisur nga kjo, Nikaj tha se vlerësimi është maksimal. Formacioni për këtë takim është i plotë tek Burreli pasi në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë të luajtur me Kastriotin e Krujës, matjanët aktivizuar lojtarët rezervë. Samuel Nikaj tha gjithashtu se çdo ndeshje do të vlerësohet si finale pasi objektivi i këtij sezoni është i qartë, Burreli të ngjitet në superligë.
“Në përgjithësi ekipi është përgatitur mirë, përjashto mungesën e Becit dhe Dycës, pjesa tjetër e ekipit është në rregull. Lojtarët kryesor i kam ruajtur nga ndeshja e kupës. Forma është maksimale. Ne do tja bëjmë hyzmetin që në ndeshjen e parë duke e trajtuar si një ndeshje finale, sepse objektivi i këtij viti është madhor. Shpresoj që nesër ta nisim mbarë pasi është kurorëzimi i këtyre dy muajve stërvitje. Unë në fakt kam dy vite që jam larg kategorisë së parë pasi nuk kam qenë në shqipëri, por e kam ndjekur dhe e kam parasysh se si janë ekipet. Eksperienca me Kastriotin ka qenë e freskët, pra vetëm dy vite më parë. Veleçiku është një ekip me lojtarë shkodranë dhe dihet që luajnë futboll mirë, ndaj e kemi vlerësuar maksimalisht”.
Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, ndeshja do të zhvillohet duke zbatuar protokollin e sigurisë mbrojtëse ndaj Covid-19. Takimi mes Burreli dhe Veleçikut do të nisë në orën 14:00.