Burreli, 104 vite Qendër Administrative e Nënprefekturës Mat

Burreli, 104 vite Qendër Administrative e Nënprefekturës Mat

Ashtu si çdo vit tjetër, edhe këtë vit është përkujtuar në Burrel 104-vjetori i themelimit të qytetit si qendër administrative e Nënprefekturës së Matit, me një larmi aktivitetesh. Kjo e premte solli në qytetin e Burrelit përfaqësues të trupit diplomatik, të Kuvendit të Shqipërisë, kryetar të Bashkive, pasardhës të fronit mbretëror, drejtues të institucioneve të ndryshme e qytetar të shumtë. Hapja e eventit u shoqërua nga banda frymore e Ministrisë së Mbrojtjes, duke i dhënë një dimension ceremonial kësaj dite të veçantë. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Bashkisë Mat, Altin Bojni bëri një historik të shkurtër të transformimit të Matit nga themelimi si Qendër Administrative e Nënprefekturës Mat deri në ditët e sotme. Ndërsa në orën 10:20, në sheshin “Kastriotët”, u çel për herë të parë Panairi i Librit—një ngjarje që shënon një hap të rëndësishëm për jetën kulturore të qytetit. Dhjetëra autorë dhe tituj librash të mbi 20 shtëpive botuese u prezantuan për publikun, duke tërhequr interesin e lexuesve të të gjitha moshave. Përshëndetën këtë event mes të tjerësh studiuesi Behar Gjoka dhe shkrimtari Namik Dokle. Deputeti i Qarkut Dibër, Agron Malaj tha mes të tjerash se “Ky është një moment i rëndësishëm për qytetin tonë dhe për promovimin e kulturës dhe leximit.” Më pas, përshëndetën eventin duke vlerësuar lart mikpritjen e matjanëve dhe vlerat që ato mbartin Ambasadori i Kosovës në Shqipëri Skënder Durmishi dhe Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Arta Marku.. Një tjetër moment i rëndësishëm i ditës ishin promovimet e librave nga autorë të ndryshëm, të cilat u zhvilluan përgjatë mesditës në sheshin “Kastriotët”, duke krijuar një hapësirë dialogu mes shkrimtarëve dhe lexuesve. Paralelisht me panairin e librit, në parkun “Geraldinë” u zhvillua panairi artizanal, ku artizanë vendas prezantuan punimet e tyre tradicionale, duke sjellë më pranë trashëgiminë kulturore të zonës. Atmosfera festive vijoi me lojëra popullore dhe aktivitete sportive, ku qytetarë të moshave të ndryshme u bënë pjesë e kësaj dite dinamike dhe plot gjallëri. Aktivitetet kulmojnë në orët e mbrëmjes me Festivalin e Lojërave dhe Riteve Popullore në sheshin “Ahmet Zogu”, një tjetër atmosferë festive e rezervuar për matjanët në këtë ditë që shënon jo vetëm një festë për qytetarët e Burrelit në 104 – vjetorin e tij, por edhe një përpjekje për të zhvilluar më tej jetën kulturore dhe për të kthyer aktivitete të tilla në traditë.