Më 21 maj u zhvillua testimi për Vlerësimin kombëtar të arritjeve të rreth 30 mijë nxënësve të klasës së pestë të Arsimit Fillor në Shqipëri. Edhe në rrethin e Matit iu nënshtruan këtij provimi 400 fëmijë të klasave të pesta. Në Bashkinë Mat testimi u zhvillua në 10 Qendra shkollore dhe në të morën pjesë 236 nxënës. Ndërsa në Bashkinë Klos ky testim kombëtar i klasave të pesta u zhvillua në 4 Qendra shkollore për 164 nxënës. Në këto 400 nxënës, 6 prej tyre zhvilluan teste të personalizuara, sipas Planeve Individuale Edukative (PEI) me të cilët janë ndjekur. Provimi, që nisi në orën 10.00 dhe zgjati 1 orë e 30 minuta, u zhvillua i qetë dhe pa probleme. Ai u monitorua me përgjegjësi nga Përgjegjësit, administratorët dhe sekretuesit e përcaktuar me short nga Komisioni i ngritur pranë çdo ZVA përkatëse. Testi i klasave të 5-ta si gjithnjë përfshinte njohuri të marra nga 3 lëndë kurrikulare; atë të Gjuhës shqipe, Matematikës dhe Diturisë së Natyrës. Si një vit shkollor i shoqëruar nga problematikat e sjella nga pandemia Covid-19, Qendra e Shërbimeve Arsimore ishte kujdesur që testi të ishte i një niveli mesatar. Vlerësimi kombëtar i arritjeve të nxënësve të klasës së pestë të arsimit fillor është pa notë dhe pa penalizime për nxënësit, por rezultatet e arritjeve të të nxënit të tyre shërbejnë në hartimin e politikave arsimore të duhura, me qëllim ndërtimin e një sistemi efektiv dhe të barabartë arsimimi për të gjithë nxënësit e vendit tonë.