Fundjava që lam pas u shoqërua me një tjetër aktivitet kulturor në qytetin e Burrelit. Pasditën e së shtunës në ambjentet e pallatit të kulturës në Burrel u mbajt edicioni i V-të i Festivalit Mbarëkombëtarë Folklorik “Kënga Epike e Lirike”. Hapjen e festivalit e bëri Drejtori i Qendrës Kulturore Mat, Sokol Meta i cili prezantoi edhe jurinë e këtij festivali.

Në këtë edicion morën pjesë Rapsodët e Sharrit, Rapsodi matjan Shefqet Merra, Grupi Folklorik Gurra e Kurbinit, Grupi Artistik Kamëz, rapsodët nga Medvegja, Ansambli Gjilani dhe Ansambli “Shote Galica” Drenas.

Pas numrave garues juria u tërhoq për vendimet e çmimeve fituese, ndërsa skenën ja lanë numrave përshëndetës të këngëtarëve Shkëlqim Farrici, Mide Aliu nga Kurbini, Kurt Lika, Hysni Hoxha, Fadil Llugaxhiu e Marjan Lleshi si dhe Flora Gashi. Në fund ishte kryetari i jurisë së këtij festivali Mark Gjoka i cili zbuloi edhe çmimet e këtij edicioni.

Numrat garues e ata përshëndetës morën duartrokitjet e artdashësve matjan të cilët kishin mbushur sallën e Pallatit të Kulturës. Ndërkohë Festivalin e V-të të Këngës Epike e Lirike do ta ndiqni të plotë në ditët në vijim në ekranin e Mat Televizion.