Edhe pse është trajtuar disa herë problemi i dëmtimit të unazës së poshtme të qytetit të Burrelit, aks i cili është nën varësi të Autoritetit Rrugor Shqiptar, gjendja vijon të jetë e rëndë.
Në këtë segment rrugor i cili përdoret edhe nga disa banorë që jetojnë përgjatë tij jo vetëm që nuk është investuar, por është kthyer i pakalueshëm për mjetet e vogëla.
Mungesa e kanaleve kulluese anësore ka bërë që ujërat të vërshojnë në karrexhatë e për pasojë ajo të dëmtohet.
Prania e gropave të thella pengon mjetet e vogëla për qarkullim ndërsa në të mund të lëvizin vetëm mjetet e mëdha.
Banorë të zonës thanë jashtë kameras se ARRSH as nuk do t’ja dijë për këtë rrugë prej shumë vitesh. Rehabilitimi i kësaj unaze do të zgjidhte edhe problemin e kalimit të mjeteve të tonazhit të rëndë nga unaza e sipërme.
Gjithsesi puna e ARRSH është përqendruar në unazën e sipërme të qytetit të Burrelit duke lënë në mëshirë të fatit më pak se dy kilometra rrugë në unazën e poshtme.