Ndërtimi i kësaj ure të re në aksin nacionale Burrel – Skuraj fillimisht i gëzoi të gjithë, por më pas kjo urë u kthye në burim aksidentesh. Që prej përfundimit të ndërtimitë kësaj ure, aty kanë ndodhur me dhjetra aksidente, ku mjetet kanë përfunduar poshtë rrugës.
Situata më problematike paraqitet në ditët me shi, ku mjetet që lëvizin në drejtim të Tiranës rrëshqasin në asfaltin e ri dhe devijojnë e biejnë disa metra nën rrugë.
Në shumë raste, mjetet janë ndaluar nga pemët, por në disa të tjera ata kanë përfunduar në livadh, siç është edhe rasti i këtij mjeti. Fatmirësisht deri tani nuk ka patur viktima por vetëm të lënduar, ndërsa dëmi ekonomik ka qenë shumë i madh për pronarët e mjeteve.
Megjithëse kjo situatë është bërë publike vazhdimisht, ende nuk ka asnjë masë të marrë nga autoritetet. Edhe investimi i fundit për rritjen e sigurisë në këtë aks rrugor nacional nuk e ka përfshirë këtë pjesë, pasi nuk janë vendosur barrier mbrojtëse metalike.