Veç amortizimit të shtresës së asfaltit, aksi nacional Burrel – Skuraj ka edhe probleme të tjera. Në këtë aks rrugor ka pothuajse mungesë totale të sinjalistikës, vertikale e horizontale. Në të gjithë gjatësinë e kësaj rruge mungojnë vijat e bardha për ndarjen e karrexhatës.
Sipas drejtuesve të mjeteve mungesa e vijave të bardha i rrezikon ata gjatë lëvizjes natën pasi nuk mund ta kontrollojnë rrugën ashtu siç duhet. Po ashtu problem mbetet edhe mungesa e sinjalistikës vertikale. Kjo lloj sinjalistike mungon në rreth 90% të rrugës me gjatësi prej 36 kilometrash. Për drejtuesit e mjeteve instancat përgjegjëse duhet t’i japin më shumë rëndësi këtij aksi nacional pasi në të kalojnë me mijëra mjete në dit nga i gjithë qarku Dibër e më gjerë.
Firma mirëmbajtëse e kësaj rruge nacionale deri tani vetëm sa ka mbushur gropat e asfaltit, duke mos bërë asgjë për sinjalistikën si një element shumë i rëndësishëm për qarkulluesit në rrugë.