Pas afro dy vitesh nga lidhja e kontratës mes autoritetit rrugor Shqiptar dhe firmës “ALKO-IMPEX”, kjo e fundit ka nisur punën për të bërë disa investime të vogla në segmentin rrugor Burrel – Skuraj, pjesë e kontratës B “Mirëmbajtje me performancë të akseve kryesore të Rajonit Qëndror dhe Verilindor”.

Prej pak ditësh po punohet në disa pika ku rruga ka patur deformime kryesisht nga ura e Ulzës e deri në Burrel. Firma ka nisur punën për riparimin e këtyre pjesëve të deformuara për t’i bërë ato në të njëjtin nivel me rrugën.

Burime pranë firmës thanë se këto pjesë në të cilat po bëhet ndërhyrje, do të asfaltohen brenda pak ditësh. Aktualisht po punohet në afërsi të urës së Karicës, ndërsa deformime të rrugës ka edhe në afërsi të vendit të quajtur “Kongrazhd”.

“Mat Televizion” ka siguruar kontratën e lidhur mes Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe firmës në fjalë për katër vite që nga 13 Qershori i vitit 2022 e deri në mbyllje të katër viteve. Në ditët në vijim do të bëhen publike detaje të reja nga kjo kontratë në lidhje me deklarimet e bëra në vitin 2023 për mirëmbajtjen e kësaj rruge.

“Mat Televizion” e ka denoncuar vazhdimisht shqetësimet që ngrenë përdoruesit e këtij aksi, i cili të paktën në 7 vitet e fundit, ka qenë më problematik se kurrë më parë. Edhe pse është një arterie shumë e rëndësishme për të lidhur verilindjen e vendit me veriperëndimin apo veriun, investimet në këtë rrugë nacionale kanë qenë minimale.