Pas disa kronikave të njëpasnjëshme firma e cila ka për detyrë të mirëmbajë rrugën nacionale Skuraj – Burrel dhe që paguhet me taksat e qytetarëve shqiptar, ka nisur punën për mbushjen e gropave të krijuara në këtë segment rrugor. Por ashtu siç ka ndodhur edhe më parë, mbushja e gropave sipas ekspertëve bëhet pa asnjë lloj standarti. Hedhja e asfaltit në gropat e krijuara është bërë në të njëjtën mënyrë që mund të mbushen me dhe, gropat në një rrugë rurale. Kjo për ekspertët nuk ka asnjë siguri afatgjatë, pasi ato rikthehen shumë shpejt në gjendjen e mëparshme. Por si të mos mjaftonte kjo, mbushja e këtyre gropave është bërë në mënyrë selektive. Drejtuesit e mjeteve dhe banorët shprehen se në këtë mënyrë autoritetet po tallen me ta, pasi gjendja e rrugës do të jetë shumë shpejt e njëjtë siç ishte më parë.
Pjesa e dëmtuar në Baz vijon të jetë në të njëjtën gjendje pasi nuk është bërë asnjë ndërhyrje në të. Rruga vijon të shembet dhe të jetë me një sens lëvizjeje.