Kjo e hënë shënoi rihapjen edhe të një grupi tjetër biznesesh siç janë baret dhe kafenetë. Në të gjithë vendin, këto biznese rinisën aktivitetin e tyre mëngjesin e sotëm, duke ofruar shërbimet për klientët. Por qytetarët janë të ndarë për këtë vendim të autoriteteve. Ndonëse pjesa më e madhe e tyre thonë që e prisnim me padurim rihapjen e këtyre aktiviteve, ka nga ata që e shohin me skepticizëm pasi ende nuk ka kaluar pandemia. Megjithatë, të gjitha lokalet e Klosit dhe të Burrelit, këtë të hënë ishin plot. Por aktiviteti i këtyre bizneseve duhet të shoqërohet me një sërë masash si distancimi mes klientëve, dezinfektimi i ambjenteve dhe pajisja e stafit me maska e doreza.