Ashtu si në javët e kaluara edhe kjo e hënë i gjeti rrugët e qytetit të Burrelit të mbushura me qytetar. Pas 40 orësh ndalim lëvizjeje në të gjithë vendin, qytetarët kanë shfrytëzuar orarin e lëvizjes nga ora 5 e mëngjesit. Shumë prej tyre dolën për të bërë blerjet e nevojshme pas afro dy ditësh që qëndronin në shtëpi. Por siç duket edhe fakti që në Mat ende nuk ka asnjë rast të konfirmuar zyrtarisht me Covid-19, ka bërë që qytetarët të neglizhojnë disi masat e marra nga autoritetet. Masa e fundit për të dalë vetëm një person nga familja, siduket nuk po respektohet aq shumë. Në këto kushte, në disa aksione të policisë së shtetit janë vendosur gjoba për këmbësorët. Burime pranë komisariatit të policisë Mat thanë se pasditën e së dielës janë vendosur disa gjoba pasi janë konstatuar qytetarë teksa lëviznin përgjatë unazës së sipërme të qytetit të Burrelit në këmbë. Por fundjava e ardhshme pritet të jetë më e vështirë pasi ndalimi i lëvizjes do të bëhet që nga e premtja e deri të hënën.