Ndryshe nga një ditë më parë, këtë të enjte rrugët e qytetit të Burrelit deri në orën 13:00 ishin plot me qytetarë. Përmirësimi i kushteve të motit ka bërë që qytetarët të dalin jashta, duke thyer kështu edhe karantinën për tu mbrojtur nga Covid-19. Ndonëse një pjesë e madhe e tyre kishin dalë për të bërë blerjet e nevojshme në dyqane apo supermarkete, një pjesë tjetër kishin dalë për të marrë rreze dielli. Autoritetet shëndetësore këshillojnë që masat të vazhdojnë të respektohen në maksimum, pavarësisht se ende nuk ka asnjë rast të prekur me koronavirus në Mat apo Qarkun Dibër. Vetëm zbatimi i masave parandaluese, kufizimi i lëvizjes jashtë banese, mbajtja e distancës sociale dhe larja e duarve shpesh apo përdorimi i dezinfektantëve, do ta mbajë virusin jashtë Matit. Policia e shtetit ajo Bashkiake dhe ushqtria vijojnë të jenë në rrugë, duke ju kërkuar qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme, sidomos grumbullimet. Burime pranë këtyre strukturave policore thanë për Mat Televizion se për të gjithë qytetarët që dalin pa marrë më parë leje në portalin ealbania dhe në numrin telefonik 55155, do të nisë vendosja e gjobave që shkojnë në 10 mijë lekë të rinj.