Spitali Bashkiak Mat po përballet prej vitesh me mungesë të mjekëve specialist. Një ndër shërbimet e munguara është edhe ai obstetërgjinekologjik në maternitetin e këtij spitali.

Prej disa vitesh ky shërbim është ofruar me intervale për shkak të mungesës së mjekëve të fushës. Mjekët e emëruar me kontratë me afat janë larguar në spitale të tjera edhe pse janë trajtuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me bonus. Ndërkohë që prej datës 31 Janar të këtij viti, në maternitetin e spitalit nuk ka mjek obstetër, duke e lënë pa këtë shërbim. Mjeku obstetër që erdhi nga Spitali Rajonal i Dibrës muaj më parë, është larguar me përfundimin e kontratës në një tjetër spital të vendit tonë.

Aktualisht gratë shtatzëna të Matit po jo vetëm e marrin shërbimin obstetërgjinekologjik në spitalin e Lezhës apo të Tiranës. Drejtues të Spitalit Bashkiak Mat thanë se janë në pritje të ardhjes së një tjetër mjeku obstetër në mënyrë që të rikthehet shërbimi i munguar.

Shpresa më e madhe për të plotësuar vakancat e mjekëve specialist në spitalet bashkiake të vendit tonë, mbeten magjistratët të cilët do të futen direkt në tregun e punës sapo të përfundojnë studimet.