Tërmeti i 26 Nëntorit dëmin më të madh e shkaktoi në rajonet Durrës, Tiranë e Lezhë. Megjithatë, nuk ka dalë pa pasoja edhe në zona të tjera. Disa banesa në fshatra të Matit janë bërë të pabanueshme, ndërsa nuk ka patur një situatë të tillë në qytetin e Burrelit.
Megjithatë edhe në Burrel janë rapotuar pesë pallate për çarje të brendshme, ku banorët kanë frikë se mund të mos rezistojnë. Megjithatë, mësohet se që në ditët e para pas rënies së tërmetit, Bashkia e Matit ka dërguar ekspertët e saj për t’i verifikuar.
Në përfundim, drejtues të Bashkisë Mat thanë për Mat Televizion se për pesë pallate është kërkuar të bëhet ekspertizë nga Instituti i Studimeve dhe Projektimeve të Urganistikës, Tiranë, për tu siguruar nëse kanë rrezikshmëri apo jo për banorët e këtyre pallateve. Për këtë problem është vënë në dijeni edhe prefektura Dibër e Ministria e Mbrojtjes.
Nga ana tjetër, Bashkia e Matit pritet të nisë edhe një verifikim të të gjitha pallateve nëse ka ndërhyrje në konstruktin e tyre kryesisht në katet e para dhe të dyta që mund të jenë problem për të gjithë godinën.