Ndërtimi i tre ndërtesave gjashtë katëshe objekte (sociale) banimi në qytetin e Burrelit pritet të nisë shumë shpejt. Sheshi në të cilin do të ngrihen këta objekte ka nisur të bëhet gati. Inspektoriati Kombëtarë i Mjedisit dhe Territorit ishte këtë fillimjavë në Burrel ku asistoi në prishjen e objekteve të Ish SMT-së në sheshin ku do të ndërtohen godinat 6 katëshe nga Enti Kombëtar i Banesave. Me vendim të Këshillit të Bashkisë Mat, është bërë transferimi i truallit Entit Kombëtar të Banesave për ndërtimin e banesave me kosto të ulët për familjet e regjistruara si të pastreha. Ndërkohë Inspektoriati Kombëtar i Mjedisit dhe Territorit që është në varësi të Ministrisë së Brendshme, prishi objektet duke përfunduar një proces i cili do të pasohet me nisjen e punimeve.
Pas shembjes së objekteve ekzistuese do të nisë puna për heqjen e inerteve dhe sistemimin e sheshit të ndërtimit të banesave me kosto të ulët në zonën e quajtur si Ish SMT-ja në qytetin e Burrelit. Kjo do të bëhet nëpërmjet një marrëveshjeje bashkëpunimi midis Bashkisë Mat dhe Entit Kombëtar të Banesave në zbatim të programit për ndërtimin e banesave me kosto të ulët.