Bllokimi i çdo lëvizjeje nga ora 13:00 e së shtunës deri në orën 5 të mëngjesit të së Hënës ka bërë që qyttetarët të dynden në dyqane e supermarkete. Rrugët e qytetit të Burrelit ishin paraditen e kësaj të shtune të tejmbushura ku shumica e qytetarëve vraponin për të bërë pazar, por kishte edhe nga ata që nuk dukej nëse kishin dalë për një gjë të tillë.

Ata që bënin blerjet e nevojshme, menjëherë ju drejtonin banesave të tyre për tu vetëkarantinuar, ndërsa të tjerët prisnin orën 13:00 ku dhe do të mbyllej zyrtarisht lëvizja e lirë në qytet.

Me gjithë apelin e vazhdueshëm të instancave shtetërore dhe atyre shëndetësore qytetarët vazhdojnë të mos respektojnë distancimin social. Lëvizjet ishin në grupe, e po ashtu edhe blerjet në pikat e frutaperimeve apo edhe në dyqane. Vendimi i fundit për të caktuar vetëm një person nga familja për të bërë blerjet e nevojshme pritet që nga e hëna të ulë numrin e qytetarëve që dalin në rrugët e qyteteve, me pretekstin se do të bëjnë blerje të domosdoshme.