BURREL / 1 QERSHORI, FËMIJËT FESTOJNË

BURREL  / 1 QERSHORI, FËMIJËT FESTOJNË

1 Qershori, i njohur në mbarë botën si Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, është shoqëruar edhe këtë vit me aktivitete festive në qytetin e Burrelit. Fëmijë të moshave të ndryshme kremtuan këtë ditë të veçantë përmes këngëve, valleve, recitimeve dhe lojërave argëtuese. Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Ilia Qiqi” zgjodhën ta festonin në ambientet e stadiumit “Liri Ballabani”. Të shoqëruar nga mësuesit dhe prindërit, ata zhvilluan një program artistik me këngë, valle dhe recitime, duke krijuar një atmosferë të gëzueshme. Në stadiumin e qytetit ishin të pranishëm edhe fëmijët e kopshtit pranë shkollës “31 Korriku”, të cilët iu bashkuan festimeve me aktivitete të përshtatura për moshën e tyre, duke sfiduar edhe temperaturat e larta e vapën përvëluese. Ndërkohë, nxënësit e klasave të para të shkollës 9-vjeçare “Mustafa Gjestila” zgjodhën parkun “Mbretëresha Geraldinë” për të shënuar 1 Qershorin. Nën hijen dhe freskinë e parkut, ata kaluan momente festive dhe argëtuese së bashku me mësuesit e tyre. Aktivitete të ngjashme u organizuan edhe në shkolla dhe kopshte të tjera të qytetit të Burrelit, duke e kthyer 1 Qershorin në një ditë plot ngjyra, buzëqeshje dhe gëzim për fëmijët.