Institucionet shëndetësore në Bulqizë kanë vijuar me analizat e ujit të pijshëm të ujësjellësit të Njësisë administrative Gjoricë, ku një javë më parë dhjetra qytetar u helmuan.

Të kontaktuar nga “Mat Televizion” drejtues të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Bulqizë thanë se nga analizat e bëra deri tani ka rezultuar i infektuar edhe burimi i ujit nga i cili furnizohet ujësjellësi i Gjoricës.

Drejtori i këtij institucioni, Hasan Koleci u shpreh se nisur nga kjo e dhënë e fundit, do të bëhet një tjetër inspektim i veprës së marrjes së ujësjellësit si dhe do të bëhen analiza shtesë për të zbuluar elementët e dëmshëm në burim si dhe për të zbuluar se nga vjen ndotja.

Prej një jave, rrjeti i ujit të pijshëm në Gjoricë të Bulqizë është totalisht jashtë funksionit për shkak të ndotjes së ujit të pijshëm. Si rezultat i kësaj ndotjeje dhjetra banorë të zonës përfunduan në spital ku morën trajtim mjekësor për shkak të problemeve që kishin me shëndetin.

 Nuk dihet se kur ujësjellësi i ndërtuar vetëm pak vite më parë do të rikthehet në funksion të banorëve, ndërsa paralelisht po heton edhe prokuroria e Dibrës.