Banorët e fshatit Shtushaj por edhe të fshatrave të tjerë që përfshihen nga aksi rrugor Ura e Serbinit – Shtushaj do të kenë një infrastrukturë më të mirë për të shkuar tek banesat e tyre apo për të dalë në qytetin e Bulqizës. Prej ditësh ka nisur puna për rehabilitimin e plotë të këtij aksi rrugor në të cilin janë bërë zgjerime, ndërtim të veprave të artit dhe shtrimi me zhavor. Por puna në këtë aks rrugor nuk ka përfunduar ende pasi brenda pak ditësh do të asfaltohet i gjithi ky aks. Banorët shprehen se asfaltimi i kësaj rruge do t’i japë zhvillim të gjitë fshatrave që i përfshin ajo. Përfundimi i rrugës së Arbrit është një tjetër mundësi që banorët e larguar prej vitesh në fshatrat që përfshin aksi Ura e Serbinit – Shtushaj të rikthehen në vendlindjen e tyre.

  Punimet për rehabilitimin e këtij aksi rrugor dhe asfaltimin e tij kanë nisur në muajin Qershor dhe pritet të mbyllen brenda pak ditësh me hedhjen e shtresës asfaltike.