Shërbimi i Epidemiologjisë dhe Shëndetit Mjedisor në Bulqizë ka publikuar rezultatet e analizave të ujit të marra në disa vende të ndryshme, si pjesë e masave të marra për gjetjen e shkakut të helmimit masiv të mbi 90 qytetarëve në bashkinë Bulqizë.

Nga raporti i këtij institucioni thuhet se në mostrat e marra në 7 vende të ndryshme dhe të analizuara mikrobiologjikisht nuk ka rezultuar të ketë  ndotje bakterologjike.

Sipas raport-analizës, uji i rrjeteve të ujësjellsave në Bulqizë është i përshtatshëm për përdorim.

Nga ana tjetër mësohet se specialistë të Institutit të Shëndetit Publik në Tiranë kanë mbërritur këtë të martë  në Bulqizë, ku kanë mbledhur kampione të tjera uji për të bërë analizë më të thelluar.

Disa nga rastet e paraqitura në spital për ndihmë mjekësore janë rikthyer në urgjencë edhe pasi kanë dalë nga spitali, ndërsa shkaku i simptomave të helmimit masiv të mbi 90 qytetarëve në Bulqizë vijon të mbetet mister. Të sëmurët ishin të moshave të ndryshme dhe zona të ndryshme të Bashkisë së Bulqizës.

* Mësohet gjithashtu se Drejtoria e Ujësjellësit Dibër ka ndërhyrë në bllokimin e tubacioneve të vjetra, të cilët furnizojnë një pjesë të lagjes kryesisht tek tregu i Bulqizës. Megjithatë ngelen për tu parë deri në fund hetimet e policisë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje, pasi në këtë tubacion ka pasur edhe ndërhyrje në rrjet nga bizneset private.